FANDOM


Agideba

Agim Bacelli

Udhëtim në shpirtin e Dhori Falos Edit

Dhori Falo

Agim Bacelli, Korçë, 16 tetor 2009

Po bëhesha gati të nisesha për Shqipëri. Xhaxhai im në Brooklyn më tha, “Mos harro të shkosh në Voskopojë dhe të takosh Dhorin. Ti bësh të fala dhe pyete të tregojë për bacellinjtë pasi Dhori ka qënë njeriu i shtëpisë sonë. Ai di shumë për ne pasi është burri më i ditur i Voskopojës.”

Në kokë më vërtiteshin qindra pyetje sidomos të dija sa më shumë për babanë tim i cili ka patur afërsisht një moshë me Dhorin (tre vjet më i madh se ai) dhe bashkë kanë qënë më shumë se vëllezër, në jetë, në luftë dhe në punë. Im atë më thoshte se e jëma e Dhorit, Pandora, ishte grua e lartë nga fisi jonë dhe se fëmijët e saj ngjajnë me ne. Kur e pashë për herë të parë Dhorin, pasi babai im kishte vdekur, u binda se ai kishte te drejte, Dhori ngjiste me babane tim, jo vetëm nga pamja por edhe nga sjellja. Dhori dukej shumë i heshtur, pëqlente më shumë të dëgjonte dhe rrallë jepte arsyetime personale. Nuk kuptohej se çfar bluante në kokë. Njëlloj si im atë. Fjalët duhet t’ja nxirrje me darë. Tip nga ata që blenë dhe jo që shesin por që vuajnë bashkë me tjetrin. Mezi prisnja ta takonja, kur befas vjen lajmi i zi nga miku im në Çikago, Kostaq Duka, “Agim e more vesh që ka vdekur Dhori Falo? Duhet ta kujtojmë me një shkrim tek “Bota e Re”. Më dëgjon?...” S’po i ktheja dot përgjigje pasi për momentin më kishte ndalur fryma. Pasi e mblodha disi veten e pyes se mos është gabim dhe nga kush e mori vesh këtë lajm! Kostaqi më sqaroi se, “tek “Shekulli” është një shkrim i Aurel Plasarit për vdekjen e Dhorit.” Hapa “Shekullin” Online dhe pashë, vërtetë burri i mirë i Voskopojës, miku i familjes sime, vëllai i babait tim, Dhori Falo kishte ndërruar jetë. Bëra lutjen e çastit dhe mënjëherë ju futa punës me dorën që më dridhej për të bërë një nekrologji të shkurtër tek “Bota e Re”.

Mbrita në Korçë por këmbët s’më bënin të shkoja në Voskopojë. Vëllezërit e Dhorit kishin vdekur me përjashtim të Gaqos të cilin e kisha takuar vetëm një herë. Djalin e Dhorit, Antonin, e kisha parë por nuk e mbaja mënd. Kërkova një shoqërues nga fisi im për të vajtur atje. Menjëherë, dy kushërinjtë e mij Aureli dhe Kryetari i Komunës së Voskopojës ishin gati të më shoqëronin. Fillimisht, bashkë me Aurelin, shkuamë takuam kryetarin N. Bacelli me të cilin pimë një kafe për kujtimin e Dhorit, pastaj të tre shkuamë tek shtëpia e Antonit. Rrugës Xhipja,(kështu e thërrasin kryetarin e tyre voskopojarët), do të më thoshte, “Agim, Dhori ishte njeri i jashtëzakonshëm. E kisha krahun tim më të fortë në Voskopojë. Fjala e tij e mënçur dhe dashuria e voskopojarëve për të, më bënë përsëri kryetar. Ai ishte burri më stoik dhe më i respektuar i Voskopojës dhe se teproj nëse them edhe i tërë Gorës. Mëndja e tij, dëndur më vinte në siklet pasi fliste me shëmbëlltyra kur deshte të bënte një vrejtje apo një sugjerim. Kurrë nuk atakohej drejtpërsëdrejti. Të bënte të mëndoheshe gjatë dhe kur ta kuptoje, të vije dhe ti thoshe se kishte të drejtë. Nuk deshte ta lëndonte kurrë në sedër të paditurin dhe mëndjerrëmbyerin. Ai fliste me gjuhën që kuptohet vetëm nga ata që e vrasin mëndjen. Dhori kurrë s’kërkoi favore për vete me përjashtim të një rasti kur e pa se ditët e tij ishin të numëruara. Ai ishte nga ata që e parashikoi me saktësi edhe ditën e vdekjes. Më ka lënë të çuditur. Erdhi tek komuna dhe më kërkoi, nuk deshte të hynte brënda. Ishte natë. Folëm jashtë në rrugë. E pyeta se si e kishte hallin dhe çfar e shqetsonte. Më pa me dhëmbshurinë e babait dhe më përqafoi. Pastaj mu lut ta dëgjoja me kujdes. ‘Xhipe! Ti e di që të dua njëlloj si djalin tim sepse të shoh si një shpresë në Voskopojë kur burimi i ndershmërisë po na shteron… Nuk të kam ndihmuar nga lidhjet tona familjare por vetëm nga ajo që i duhet Voskopojës për të cilën kemi shumë nevojë. Vazhdo të jesh i ndershëm, është kërkesa ime e parë, edhe kur pandershmëria të ketë pushtuar çdo ind e qelizë të shoqërisë. Kërkesa e dytë është personale. Më në fund të erdhi radha edhe ty të më ndihmosh. Qesh. Është e para herë në jetën time që këroj ndihmë për vete dhe kam erdhur me kaq zor tek ty… Ndihma s’më ka munguar kurrë nga njerzit e mirë të Voskopojës dhe Shqipërisë ashtu siç s’më ka munguar dhe skëterrosja nga të liqtë. Jam i detyruar të them sonte këtë kërkesë pasi e thënë copë, unë për katër ditë shkoj në rrugën time pa këthim … Dua të ikë i qetë.’ Dhori dukej i rënë por me mëndje të kthjellët dhe vullnet të lartë. Nuk dukej i tronditur nga frika e vdekjes. Kishte një hall, një amanet. Më kërkoi që librin e ri që kishte dërguar për botim tek “Bota e Re” në Korçë t’ja paguante komuna pasi shumicën e librave ja kishte paguar i biri dhe nuk deshte që atë ta rëndonte më. Të nesërmen mblodha shokët e komunës dhe u parashtrova kërkesën pa u thënë që ishte amanet i Dhorit. S’më besohej se ai do të vdiste. Të gjithë më propozuan që jo vetëm atë libër por edhe librat e tij të mëparshëm t’ja ribotonte komuna. Edhe ky fakt dashurie më çuditi. Pas katër ditësh, ashtu siç ai e kishte parashikuar, Dhori Falo vdiq.”

Dhori Falo ishte djalë i “renegatit” Dhimitër Falo, i pushkatuar nga diktatori Hoxha si element i “Grupit të Zjarrit”, tani martir i demokracisë me dekret te presidentit të Republikës. Nga Dhimitër Falo kemi disa përkthime nga greqishtja dhe rusishtja por mundëm të siguronim vëtëm një prej tyre, “Jeta ne varr”, shkruar nga Myrivilis, Stratis. Roman, ku Dhori është edhe editor i tij. Botuar në Korce nga libraria "Drita", 1932. 169f. Titulli original: Η ζωή εν τάφω.

Dhori Falo kishte mbaruar liceun francez të Korçës dhe pati bërë punën e pasionuar të mësuesit, si shumë voskopojarë të tjerë të dijes dhe diturisë, që në moshën të re, në shkollën unike të qytetit, ku dhe nevojat kishin qenë të mëdha për mësues, gjersa të plotësoheshin dalëngadalë me ata “që kishin zbritur triumfatorë nga malet”, siç shkruan studiuesi i mirënjohur A. Plasari. Dhori punoi një vit në Korçë si mësues e më pas fillon dhe gjezdisë fshatrave me një biçikletë dosido, pa iu ndarë profesionit të tij për të cilin ishte rritur dhe edukuar.

“Kërkova të kthehem në fshatin tim të lindjes në Voskopojë. Në të vërtetë, që të hap një parantezë, si çdo e keqe e ka edhe një anë të mirë brenda. Kalimi nga Korça për në Voskopojë nga viti 1958, më shpëtoi nga burgu. Këtu në Voskopojë sa herë në ato kohë të zymta i kam sjellë në hatër njerëzit e mëdhenj të këtij vendi, Voskopojës. Një pjesë të frymës së tyre më dukej se e përjetoja edhe vetë teksa hapja dyert e shkollës sonë të vogël në mes të fshatit. Ajo frymë më ka nagasur të shkruaj edhe disa libra për ta dhe historinë e Voskopojës.”

Dhori ishte njeri i formuar qysh në të ri me idetë e Rilindjes Shqiptare dhe të iluminizmit frëng, po aq sa edhe i mbrujtur me respekt për Perëndinë dhe besimin në të. Luftëtar i shquar i Voskopojës, i dashuruar pas Kombit, Pamvarisë Shqiptare, Letërsisë dhe Historisë. Ai kishte bindjen se si krishter i mirë nuk bëhesh vetëm e vetëm duke dëgjuar predikimet e klerit në tempujt e kultit, por edhe duke lexuar kryeveprat e njerzve më të shquar të botës të cilët rrezatojnë dituri për këdo që hap veprat e tyre. Ky formim i dha mundësinë që të shkruajë dhe tregojë kaq bukur dhe kaq me shpirt njerzor sa veprat e tij pa mëdyshje mund të mërren si ushqim i pasur shpirtëror për këdo që humb rrugën e së mirës.

Dhori që nga 90-ta e këndej, mundi të shkruante e të botonte disa vëllime me tregime e novela, si “Kambanat e Voskopojës” (2000), “Korrieri” (2003), “Të shkuara të paharruara” (2004), “Trishtim” (2005), “Tragjedia e Voskopojës” etj., të gjitha botime të Klubit të Shkrimtarëve "Bota e Re" (Korçë), në të cilat spikat, krahas aftësisë së të rrëfyerit, edhe thjeshtësia e shpallur, që të kujton pikërisht mjeshtrin e tij të dashur, Daudet-në, siç thotë A. Plasari. Po ashtu, kryevepra e tij mbetet monografia “Tragjedia e Voskopojës”, e botuar disa herë dhe e përkthyer tanimë në gjyhë të huaja.

Antoni, me keqardhje më dhuroi vetëm “Trishtim”-in dhe “Të shkuara të paharruara” pasi nuk kishte asnjë libër tjetër. Edhe këto dy libra mi dha nga librat e tij personalë. E falenderova dhe sigurisht i mora pa patur aspak ndroje dhe pendim pasi e pashë që mi dha me gjithë zemër.

S’mu durua dhe porsa mbrita në shtëpi i shfletova të dy librat me të shpejtë sikur të qenë ushqim i ngrohtë që s’hahen nëse ftohen. Para syve të mëndjes më kaloi tërë jeta e voskopojarit të ditur, burrit të urtë me zëmër të madhe. Pashë se ai në këto dy libra kishte shpalosur shpirtin e tij të bardhë e të pastër, të ruajtur me fanatizëm ashtu siç ja kishte dhuruar Perëndia. Atë që kisha dëgjuar për Dhorin e gjeta të pasqyruar në ato dy libra. S’kam ndërmënd që në këtë shkrim plotë mirënjohje të thellë të bëj kritikën por, dëshiroj që para atyre që do ta lexojnë, të shpalos sadopak një faqe të shpirtit të patrazuar e tepër fisnik që Dhori ja ktheu Perëndisë po aq hyjnor siç edhe ja kishte marrë.

Në ballë të shpirtit të tij lexoj motivin nga ku ai u nis dhe udhëtoi tërë vitet e tij pa njollë.

“Jeta? Nuk është dhuratë hyjnore që vetëm të lumturon, por një detyrë e rëndë, e vështirë, tepër e ngatërruar që njeriu duhet ta mbrojë me nder deri në fund. Lumturia? Nuk blihet dot as me pare dhe nuk dhurohet nga askush. Edhe në fund të botës ta kërkosh, nuk e gjen dot nëse nuk e ke zbuluar më përpara brënda vetes sate.”

Pasi pabesia e Enver Hoxhës i vret babanë, ndyn vatanë, mbjell nakarin dhe ligësinë, Dhorit Tokësor i lind ideja e arratisjes e shpëtimit të lëkurës së tij. Do të arratisej sigurisht nëse nuk do të kishte përpara Dhorin Qiellor që do ta ndalte me një arsyetim fare të thjeshtë e tëpër njerzor, “…Jam pjesë e kësaj toke. Rrënjët e mija janë në Voskopojë. Nëse dikush do që të bëjë dru për ngrohje me degët e mija, më mirë le ta bëjë një vëlla voskopojar se sa një i huaj”! Kështu ai pranoi kalvarin e jetës së tij. Mbi të u vërsul egërsia më e madhe kafshërore pasi kafsha që e mbarte këtë egërsi ishte unikale dhe qëndronte vertikalisht në dy këmbë. Duroi gjithëçka me një qëndresë jezuite. Kurrë su përkul, nuk u mposht dhe ligështua. Vërtetë ja prenë “degët” dhe “gjethet” por jo “palcën” e shpirtit. Nuk rebeloi e as reagoi. E pranoi jetën ashtu siç ajo i erdhi. Vetëm një herë, kur pa se tërë rinia e vëndit po kthehej në një tufë shtegëtarësh pakthim, pyeti Zotin, “Pse kështu o Zot? Të gjitha i krijove të bukura, të mira, të përkryera; malet, përrenjtë,lulet, barin, pyjet dhe i ngule në vëndin e tyre të qeta, të palëvizshme, plot shëndet e mbarësi. Po shqiptarin o Zot, pse e bëre të tillë, pse e dënove të marrë trastën në kurriz e të lypë nëpër botë për bukën e gojës ndërkohë që zogj, insekte dhe kafshë jetojnë pranë foleve…?” Vazhdoj të hap me kujdes faqet e shpirtit të tij dhe gjithëkund gjej po atë Dhori, të qetë, të urtë, shëmbull qëndrese edhe para tragjedive të jetës së tij apo të njerëzve që ai ka njohur. Shpirti i tij nuk dënon të tjerët, por veten e tij. Ai qimton të gjejë se ku ka gabuar se çfar të keqe mund t’ju ketë shkaktuar të tjerëve padashje dhe harron të thotë ato të këqia që të tjerët i kanë bërë atij. Shoh Dhorin që komunikon me kujdes me ata rrugaçë që ndjekin nga prapa dhe tallin fatkeqët, të gjymtuarët, të papërgjegjëshmit. Kërkon që të zbutë egërsinë. Bishat i merr me të mirë, madje u zgjat dhurata dhe u thotë fjalë të ëmbëla! Për momentin kafshëria ulet në gjunjë. Pastaj Dhori ngreh në këmbë të nëpërkëmburit dhe bashkë me ta shkon në hallet e tyre. Fshihet nëpër plevica, futet pas mullareve me bar, shtrihet nëpër mezhdat dhe livadhet e Voskopojës. Rri pa ngrënë bashkë me barkthatët. Qëndron me ta larg jetës së ligësisë duke zbutur shpirtin e atyre që janë lënduar. Ai vuan po aq shumë sa edhe i fyeri, i urituri, i poshtëruari, i persekutuari, i braktisuri,..Duke mbajtur në shpinën e tij tërë hallet dhe vuajtjet e tija dhe të tjerëve. E shoh Dhorin edhe në ‘burg’ bashkë me shokët e tij të idealit dhe e pyes se si ishte burgu. Dhori përgjigjet i qetë si përherë, pasi qesh lehtë, flet vetëm pesë fjalë por që vlejnë saç thotë një roman i tërë ku përshkruahet gjithëçka në Burgjet e Diktaturës Shqiptare. Ai thotë: “Atje janë më të mirët.”

Në një moment më shfaqet Dhori partizan së bashku me dy partizanë të tjerë që tërheqin zvarrë një armik të kapur rob. I thonë Dhorit të qëlloi mbi armikun bashke me ta. Dhori qëllon në ajër. Ata pasi kryenë detyrën qeshin dhe i thonë Dhorit, “pule e lagur”. Të njëjtët persona i shoh në pushtet me BÇ tek bytha në kohën e Diktaturës, ndërsa Dhorin përsëri një “pulë e lagur”. Pas rënies së Diktaturës ata takohen të tre përsëri. Dy “trimat” me BMW tek bytha dhe Dhori përsëri po ajo “pulë e lagur’. Ata s’kanë mënd por kanë kuletë të fryrë dhe ju duhet mëndja e Dhorit, por Dhori largohet prej tyre në heshtje si një “pulë e lagur”.

E shoh në fund Dhorin të zhgënjuer, të goditur, të sëmur, që largohet nga bota e farmakosur. Sigurisht i sakatuar, i vrarë por jo me plumbin e ëmbël që i vrau babanë por me një send tjetër më tinzar, më të fshehtë, më të poshtër dhe më të hidhur që s’ka asnjë bisturi ta nxjerrë jashtë. Çudi! Në këtë gjëndje ai qesh. E pyes përse qesh dhe ai i përgjigjet pyetjes sime po me një pyetje. “A e di ti çfar elementi kimik i mungon trurit tim?”

Ad blocker interference detected!


Wikia is a free-to-use site that makes money from advertising. We have a modified experience for viewers using ad blockers

Wikia is not accessible if you’ve made further modifications. Remove the custom ad blocker rule(s) and the page will load as expected.

Also on FANDOM

Random Wiki