Fandom

KlubiBota Wiki

Ervehe Grabocka & Masakra e Panaritit

19pages on
this wiki
Add New Page
Talk0 Share
Prinderit.jpg
Ervehe Grabocka & Masakra e Panaritit

nga Raimonda Moisiu & Skënder Demolli


Ervehe Grabocka është gruaja më heroike që ka nxjerrë Grabocka, e cila edhe sot ruan akoma tiparet e një gruaje trime dhe të zonjën. Është një shëmbull i gjallë i një gruaje të moshuar, (sot ajo i ka kaluar të 90 vjetët), e cila të jep përshtypjen e një zonjë që mundohet të ruajë tiparet e një gruaje të re, të fortë, të paepur dhe trime. Kujtdo që i bie rasti të takohet me Ervehenë, ngelet i çuditur me vitalitetin e saj. Mosha ka bërë të sajën por nga goja e Ervehesë askush nuk ka dëgjuar asnjë ankesë për shëndetin, pleqërinë, apo çfardolloj ankese që zakonisht, sot bëjnë njerzit në përgjithësi, sidomos pleqtë.

Kujtesa e saj është e plotë, e saktë dhe e veshur me një humor që të kënaq. Ne biseduam gjatë dhe u çmallëm.

Kush është Ervehe Grabocka?

Ka lindur në Grabockë, fshat në thellësi të maleve të Korçës, në zonën ku ndahet Korça me Skraparin. (Fshatin e saj e ndan një përrua me fshatin Backë të Skraparit.) Është e bija e Bektash Grabockës (1870-1956) nga Panariti, dhe Zylfie Shtyllës (1890-1981) nga Shtylla. Dy prindërit e saj vijnë nga një familje me tradita të mëdha luftarake, patriotike, arsimdashëse që i kanë dhënë Shqipërisë burra të mëdhenj si luftëtarë për liri apo burra shteti, si Dëshmorin e Kombit, Qazim Panaritin, (1866-1918), i cili ka qënë xhaxhai i Ervehesë, Medar Shtylla, (1888 - 1963), dajiu i saj, Behar Shtylla,(1918-1994), kushëriri i pare, Myftar Grabocka, (1917) vëllai i Ervehesë, etj. burra dhe gra të shquar që i ka njohur Shqiperia. Duhet përmëndur se paraardhësi i shtatë i Ervehesë takohet me themeluesin e Korçës, Iliaz Bej Mirahorin, (Ilia Panariti) që ishte nip i Papa Petro Panaritit(1360-1440),stërgjyshi i Ervehesë.

Vetë Erveheja ka qënë luftëtare në radhët partizane që me krijimin e formacioneve të para luftarake. Ajo është dalluar në luftime me armikun dhe mban dekorata dhe dinstiktiva të shumta që tregojnë se ka qënë një luftëtare dhe puntore e palodhur në shërbim të kombit dhe shqiptarëve. Që në fillim të vitit 1942 Erveheja u aktivizua nga Lëvizja Nacional - Çlirimtare për të ngritur në luftë fshatrat Grabockë dhe Panarit së bashku me tre shoqe të tjera të cilat kanë qënë, Noi Polena, Antigoni Gjançi dhe Anie Vila. Këto gra bënë të mundur që disa vajza prej këtyre dy fshatrave të dalin partizane. Erveheja doli partizane në fillim të vitit 1944 së bashku me dy vajza të tjera nga Grabocka; Përparime (Abazi) Cane dhe Vajide Jaupi. Erveheja u inkuadrua në Brg. XV S. në batalionin e parë me komandant Selman Vishocicën.

Pas çlirimit Erveheja ka punuar në Kryqin e kuq Shqiptar, në fillim në Voskopojë së bashku me tre shoqe, Përparime Cane, Meleqe Protopapën dhe Dadenë e Porodinës. Në Voskopojë ajo u njoh me burrin e saj të ardhshëm, i cili punonte si sekretar lokaliteti. Më pas ajo punoi në Korçe derisa u martua me Ademin, një nga ish partizanët më trima i cili ka mbajtur medaljen e Trimërisë dhe ka qënë korieri i Shtabit të Brg. IV S. Ademi vdiq papritur në moshën 65 vjeçare nga një atak kardiak dhe u varros në Lezhë në vitin 1987. Erveheja ka 6 fëmije; pesë vajza dhe një djalë.

Erveheja Partizane

Në shtëpinë tonë një ditë erdhi Safet Butka që ishte mik shtëpie dhe i tha babait tim, Bektash Canes se ku i kishte djemtë. Babai i tha se djemtë e tij ishin partizanë. Safeti ju lut që ti thërresë djemtë dhe nipërit që ta braktisin luftën partizane dhe të luftojnë më forcat balliste. Babai nuk pranoi pasi ai më parë kishte biseduar më Medar Shtyllën që e kishte kunat të cilit i kishte dhënë fjalën se shtëpia e canellarëve do të mbante anën e partizanëve. Në atë kohë erdhi në shtëpinë tonë, Katina Starja, Noi Polena dhe Antigoni Gjançi dhe takuan babanë tim të cilit i kërkuan që unë të dal partizane. Ato kërkuan që të dalin partizane edhe Përparimja, çupa e xhaxha Brahimit, edhe Vaideja, komshija ime, çupë e Jaup Grabockës. Prindërit tanë nuk nguruan dhe na dhanë lejën duke na pyetur neve nëse pranonim te dilnim malit partizane. Ne mezi prisnim që të luftonim pasi në shtëpitë tona në ato kohë s’kishte bisedë tjetër veçse trimërisë, guximit dhe gadishmërisë së shqiptarëve për të luftuar pushtuesin. Ne kishim punuar në terren për një kohë të gjatë dhe ishim përgatitur për këtë punë.

Ishte muaj prill i vitit 1944 kur na mblodhën në Katund, fshat i vogël afër Trebickës. Atje, në një lëndinë ishte një mur një metro i lartë. Neve na reshtuan të gjitha vajzat e fshatrave të zonës së Panaritit dhe na thanë se, kalimi i këtij muri do të jetë simbol i pranimit të kapërcimit të mentalitetit patriarkal dhe dëshirës për të kapërcyer çdo vështirësi që do të na dilte përpara në luftën kundër pushtuesit. Ne ishim rreth nja 50 vajza të zonës sonë. Siç e thashë më sipër, nga Grabocka ishim vetëm tre çupa; Përparimja, Vaideja dhe unë. E para që kaloi murin qe Perparimja e cila thirri, “Nuk do të ketë asnjë mur që do të na pengojë në rrugën tonë drejt lirisë dhe pamvarisë!” Pas ne vajzave murin e kapërcyen edhe disa djem nga zona. Nga Grabocka ishin edhe dy kushërinjtë e mij, Kadri dhe Arshin Cane së bashku me tre të tjerë. Pastaj shkuam në Lavdar të Korçës ku na veshën partizane. Atje gjeta kushëririn tim të parë Behar Shtylla i cili u gëzua shumë dhe ka qeshur pasi dikush i tha që Erveheja do të bëhet një luftëtare më e madhe se ai. Na caktuan fillimisht në prapavijën e forcave partizane dhe pikërisht të punonim në spitalin partizan të Lavdarit. Atje ndënja rreth katër muaj. Në atë kohë spitali i Lavdarit u transferua diku gjetkë dhe neve na dërguan në Brig. 15S ku do të kishim të njëjtën detyrë, pra do të punonim në prapavijë. Me mua qenë edhe Përparimja së bashku me Vaidenë. Të plagosurit ne i shpinim në Gurmujas dhe atje i mjekonim. Atje punova rreth dy muaj. Në tetor më dërguan në brigadë si partizane me përgjegjës kompanie Avni Babanin dhe komandant batalioni Selman Vishocicën. Mora pjesë në disa beteja së bashku me brig. e XV Sulmuse….Më kujtohet një rast kur na u plagos shoqja jonë Neta e cila po këndonte dhe një plumb i ra grykë. Sa e shpunë në spital ajo vdiq.

Pasi u çlirua Shqipëria mua më dërguan të punoj në zonën e Vithkuqit, Panaritit, Treskë, Trebickë, Qinam dhe Radovickë. Më pas në Voskopojë dhe Korçë.

Me mua ishin dhe Perparimja, Meliqe Protopapa dhe Mynever (Kolaneci) Shtylla. Detyra jonë ishte të ngrinim organizatat e grave atje ku nuk kishte dhe të forconim ato organizata grash që ishin ngritur gjatë luftës. Në Vithkuq na erdhi për vizitë Enver Hoxha që na përgëzoi për detyrën tonë. Enveri bëri dhe një foto së bashku me ne. Atë e shoqëronte kryetari i Këshillit të Vithkuqit, Miti Rrapi.

Masakra e Panaritit - Tregimi i Ervehesë

Strukturat ushtarake greke organizuan “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet e Greqisë, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë. Fushata antimuslimane e andarteve grekë, në fakt prapa tyre ishin kisha dhe qeveria greke, bënë edhe masakrën e Panaritit që nuk do të harrohet kurrë nga përmasat dhe egërsia me të cilën u krye. Kjo ndodhi në atë kohë siç e quajmë ne korçarët, Greku i Parë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pushtimi i të ashtuqujturës Vorio Epir nga Greqia u bë në prag të Luftës së Parë Botërore, menjëherë pasi qenë caktuar kufijtë e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha Europiane. Ata hynë në jugun e Shqipërisë dhe pasi mobilizuan tërë ata shqiptarë që e quanin veten grekër, filluan pastrimin etnik duke vrarë, internuar dhe përzënë nga trojet e tyre të gjithë ata që patën guximin ta quanin veten shqiptarë. Në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e fshatrat e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit. Masakra e Panaritit ka ndodhur në vitin 1914. Po e tregoj ashtu siç ma kanë treguar nëna dhe babai im pasi kjo masakër u krye në atë shtëpi qe ne e blemë, pas Masakrës së Panaritit, nga të zotët e shtëpisë që ishin orthodoks dhe që u larguan nga fshati dhe shkuan në Korçë dhe Tiranë pasi ata nuk mund ti qëndronin dot kërkesës greke që të bashkoheshin me ata kundër vëllezërve të tyre muslimanë. Masakra mizore (sich tregon Myftar Grabocka, vwllai i Ervehesw)u bë nga andartët (banditët) grekë më 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në shtëpinë e Dajlan Panaritit. Grekwt therwn mbi 400 burra, gra, fëmijë dhe pleq. Veprim më të llahtarshëm s’mund të të dëgjojnë veshët. Por grekët me kwtw aktw makabër, si kanibalë, nuk donin të ndëshkonin vetëm popullsinë panaritëse, që në pjesën dërmuese ishte myslimane, por të gjithë zonën. Ndaj ata me dajallëzinë më të madhe, gratë, pleqtë, dhe fëmijët i therën në Grabockw, kurse burrat vendosën ti thernin në fshatra të tjera. Së pari, tentuan ti çonin burrat të lidhur njëri pas tjetrit në Trebickë, por aty hasën në rezistencën e mjaft patriotëve të shquar të krishterë trebickallinj, të cilët nuk pranuan të bëheshin pjesë e atij krimi të shëmtuar çnjerëzor. Atëhere grekët ju drejtuan fshatit Panarit, ku për fat të keq nuk hasën ndonjë rezistencë për arësye se edhe ata pak njerëz që ishin, qenë të moshuar. Hauret dhe shtëpitë e boshatisura të grabockallinjëve u mbushën me 300 burra të lidhur njëri pas tjetrit me litar. Prej andej në të gëdhirë, i çonin në gijotinën e caktuar tek vëndi i quajtur Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, një hon i vërtetë dhe tepër i frikshëm ku rrukulliseshin kokat e prera të djemëve panaritas dhe gjaku rridhte tatëpjetë si në një thertore. Qëndrimi i atyre pak krishterëve grabockallinj në këtë rast nuk qe pajtues, përkundrazi, me aq sa mundën, ata morën në mbrojtje panaritasit që tentonin tu shpëtonin thonjëve të bishave të tërbuara. Për tu përmëndur është rasti i Bajram Bilo Rezhdës, i cili shpëtoi nga këto masakra sespse e ndihmoi Guri Liko qw e nxorri nga oxhaku pasi mashtroi rojet greke, duke e marrë në kurriz të mbështjellë me qilim dhe me enët në duartë e tij gjoja për të mbushur ujë.

Fatmirësisht ose fatkeqësisht ekziston lista e personave që mbështetën sjelljet vandale greke (kjo e botuar në revistën “Ylli i Mëngjezit” SHBA në vitet 1917-1918, artikulli “Nisja e Zjarrit në Toskëri” nga Sotir Dhosi Treska ku rezulton ata të jenë më të shumtët nga Trebicka, por edhe nga Kolonja, Marjani dhe Panariti. Ata krishterë që ndihmuanë myslimanët janë, Gjik Prifti, Niçi Nikolla, Peçi Mihali, Toli Dhosi, Naum Toli, etj.

Grekët arrestuan në Panarit, Trebickë, Treskë etj. ç’gjetën; të gjithë ata fëmijë dhe pleq që nuk mundën të largoheshin por edhe që menduan se greku s’mund ta prekte këtë kategori njërzish. Ata qenë 300 shpirt. I lidhën me litarë si kafshët nga duart dhe këmbët dhe u vunë një litar tjetër që kalonte qafë më qafë tek të treqindët duke u bërë nga një hallkë që u shtërngonte qafën dhe nëse dikush do tentonte te largohej qoftë edhe një hap nga shoku para apo prapa tij, automatikisht do të mbytej nga ajo hallkë që nuk mund të toleronte ritmin dhe distancën e caktuar nga njëri tjetri. Pastaj i shpunë në fshatin Grabockë dhe i futën pikërisht në shtëpinë e caktuar. Kjo shtëpi qe një ndërtesë e re dykatëshe; kati i parë ishte haur dhe kati i dytë kishte qënë shtëpia ku flinin anëtarët e familjes. Në atë kohë kishte lindur motra ime e madhe Reshiko. Im atë mori me vete nënën dhe motrën dhe së toku me shumë fshatarë të tjerë ikën nga Panariti dhe shkuan në Kaninë të Vlorës. Pasi burrat i siguruan gratë dhe fëmijët tek miqtë e tyre në Kaninë, vete ata u kthyen në Panarit për të luftuar pushtuesin. Ata i udhëhiqte xhaxhai im, Qazim Panariti. Në Kaninë vdiq gjyshja ime Habibe dhe xhaxhaica ime Limaja e cila ishte gruaja e Qazimit i cili sot është Dëshmor i Kombit dhe gjendet në varrezat e dëshmorëve. Të dyja këto gra vdiqën nga kolera. Ato i kanë varret edhe sot në Kaninë.

Panariti u dogj i gjithi. Panaritasit shumë pak u kthyen në fshat pas ikjes së grekëve pasi shumica u larguan në të katër anët e Shqipërisë. Familja ime u vendos në Grabockë dhe pikërisht në atë shtëpi ku ishte bërë Masakra e Panaritit. U quajt Masakra e Panaritit pasi shumica që u therën atë ditë ishin panaritas.

Grekët pasi i futën shumicën në atë shtëpi e cila ishte një ndërtesë tip kulle me dy dhoma të mëdha, njëra, ajo e sipërmja ishte dhomë gjumi siç e thamë dhe tjetra poshtë ishte haur. Grekët i merinin një e nga një dhe në pragun e haurit u prisnin kokën mbi një kërcu. Lemeria e atyre që shikonin nënën, çupën, djalin, vëllanë, motrën, gjyshin dhe gjyshen që thereshin si kafshë, ishte e paimagjinueshme pasi i njëjti fat i priste edhe ata. Në këtë kohë, në katin e dytë, ashtu me duar të lidhura, një plak, Barjam Bilo, është futur në oxhak ku u fsheh dhe qëndroi vetëm me bryla për aq orë sa mbaruan së theruri të 298 njerzit e shkretë. Tjetra që shpëtoi ishte një grua e re nga Panariti që quhej Shane e cila me dhëmbë ka hapur një dërrasë të dyshemesë duke u fshehur në tavanin që ndante dhomën e sipërme me haurin. Shania e gjorë ka dëgjuar ulurimat e djalit kur grekët e tërhiqnin zvarrë derisa ja prenë kokën. “Nuk lëviza, - na tregonte Shania pasi unë s’mund ta shpëtoja dot djalin tim veçse do të isha therur edhe unë. Ndërkohë që kisha edhe dy fëmijë të tjerë të vegjël që mi kishte marrë burri nuk e di se ku… Jeta qënka shumë e dhimbsur." Pasi Shania thotë këto fjalë fillon dhe qan. Grekët i morën kokat e 298 njerëzve të therur dhe i hodhën në një hon të thellë ku nuk hyn dot njeri. Atë vënd ne e quajmë Kulë pasi sipër rripës së honit ngrihet një bregore si një kullë natyrale dhe që u ka shërbyer grabockallinjëve si Kullë Vrojtimi për të mbrojtur fshatin në shekuj. Kafkat e tyre kanë qënë atje deri pas luftës së dytë botërore kur unë jam larguar nga Grabocka dhe nuk e di nëse janë akoma.

Ad blocker interference detected!


Wikia is a free-to-use site that makes money from advertising. We have a modified experience for viewers using ad blockers

Wikia is not accessible if you’ve made further modifications. Remove the custom ad blocker rule(s) and the page will load as expected.

Also on Fandom

Random Wiki